Prill 23, 2025

Shpërndaje Postimin:

Shoqëria civile diskuton klimatikën dhe alternativat e saj të rinovueshme në Shqipëri

Deklaratë e Organizatave të Shoqërisë Civile në lidhje me

Politikat Sektoriale të Energjisë dhe Klimës

Më 27 mars 2025, Rrjeti GreenAL u mblodh në një nga takimet e tij të para pas zyrtarizimit, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve dhe nxitjen e shkëmbimit të njohurive për çështjet e energjisë dhe klimës në Shqipëri. Në këtë kontekst, u zhvillua një sesion reflektimi i thelluar mbi progresin dhe boshllëqet në politikat sektoriale, si dhe u përgatit një paketë rekomandimesh drejtuar partive politike në prag të zgjedhjeve të 11 majit 2025.

Takimi përfaqësoi një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të rrjetit si platformë bashkëpunimi që synon të rrisë ndikimin e shoqërisë civile në përmirësimin e politikave mjedisore dhe klimatike në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar. Diskutimet u përqendruan në analizën e sfidave të ndërlidhura të sektorit energjetik dhe klimatik, me theks të veçantë mbi varësinë nga burimet hidrike për prodhimin e energjisë elektrike (mbi 95%), ndikimin e ndryshimeve klimatike në ciklet hidrologjike, dhe problemet strukturore të tregut energjetik.

Pasqyrë e programeve zgjedhore në lidhje me energjinë e klimën

Në vijim të diskutimeve u analizuan edhe programet zgjedhore të partive politike për periudhën 2024– 2030, me qëllim të kuptohet në çfarë mase temat e energjisë dhe klimës janë përfshirë në agjendën politike. Vërehet se disa programe përmbajnë një kornizë më të artikuluar për tranzicionin e gjelbër dhe përafrimin me direktivat e BE-së, përfshirë projekte konkrete për energjinë diellore dhe planifikimin e rinovimit të ndërtesave. Megjithatë, këto shpesh mbeten të kufizuara në nivel programatik, pa detaje implementuese apo përfshirje të dimensionit social të tranzicionit. Një pjesë e programeve ofrojnë përqasje më të përqendruara në fusha të tjera si ekonomia, drejtësia ose qeverisja, ndërkohë që çështjet klimatike dhe energjetike janë të pranishme në mënyrë shumë të fragmentuar ose mungojnë plotësisht. Në disa raste, energjia përmendet vetëm në kontekstin e investimeve infrastrukturore, pa reflektuar mbi aspektet e dekarbonizimit apo tranzicionit të drejtë. Nga ana tjetër, disa programe zgjedhore ofrojnë trajtime të detajuara mbi transparencën në menaxhimin e burimeve natyrore, zhvillimin e industrive të qëndrueshme dhe nevojën për decentralizim përmes komuniteteve të energjisë, duke përfshirë edhe komponentët e edukimit, eficiencës energjetike dhe ndikimit të ndryshimeve klimatike në sektorë të tjerë si bujqësia apo shëndeti. Kjo analizë dëshmon për mungesën e një vizioni të përbashkët dhe gjithëpërfshirës për energjinë dhe klimën në pjesën më të madhe të spektrit politik shqiptar, si dhe për nevojën urgjente për standardizimin e përfshirjes së këtyre çështjeve në platformat programore, me qëllim rritjen e
llogaridhënies, konsistencës dhe qëndrueshmërisë së angazhimeve politike.

Sfidat e sektorit

Përgjatë dekadës së fundit, Shqipëria është përballur me sfida komplekse dhe të ndërthurura në sektorin e energjisë dhe klimës, të cilat kërkojnë veprime të mirëkoordinuara nga institucionet publike, sektori privat dhe shoqëria civile. Me një varësi të theksuar ndaj burimeve hidrike për prodhimin e energjisë (mbi 95%), vendi është tepër i ndjeshëm ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike, të cilat po ndikojnë ciklet hidrologjike – reshjet janë më të pakta, shpërndarja e tyre më e paqëndrueshme, duke rrezikuar kështu sigurinë energjetike kombëtare. Përveç kësaj, humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë janë në nivele të larta (18–20%), ndërsa konsumi final i energjisë ka arritur në 8.1 TWh në vitin 2023, i shtyrë nga rritja e urbanizimit dhe sektorit të shërbimeve. Energjia e rinovueshme përtej hidrocentralëve – si ajo diellore dhe nga era – mbetet e pazhvilluar plotësisht, me vetëm 4.3% të totalit të prodhimit, sipas të dhënave nga AKBN.

Skemat ekzistuese të subvencionimit janë të kushtueshme dhe të pabarabarta, me mbi 2.4 miliardë euro të shpërndara ndërmjet mbështetjes fiskale dhe kredive gjatë viteve 2018–2023, duke ndikuar negativisht në konkurrueshmërinë e tregut dhe duke përfituar më shumë familjet me të ardhura të larta. Vlejnë për t’u përmendur disa investime domethënëse në fushën energjitike, si projekti pilot për ndërtimin e sistemit të gazifikimit në Korçë; projektimi i TEC-it lundrues në Vlorë, etj. të cilat mbeten pengesa në tranzicionin energjitik afatgjatë të vendit.

Arritje të vitit 2024
Rishikimi i Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën (PKEK)

Plani i rishikuar Kombëtar për Energjinë dhe Klimën (PKEK) 2020–2030 përfaqëson dokumentin themelor të politikës energjetike dhe klimatike të Shqipërisë për dekadën e ardhshme, duke përfshirë pesë dimensionet e Unionit të Energjisë të BE-së: dekarbonizimin, burimet e rinovueshme, efiçencën e energjisë, sigurinë e furnizimit dhe tregun e brendshëm të energjisë. Plani parashikon rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të rinovueshme në konsumin final të energjisë në 54.4% deri në vitin 2030, si dhe reduktimin e emetimeve të GES-ve me 22% krahasuar me vitin 2005. PKEK përfshin objektiva të qarta për rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga dielli dhe era (si projektet në Spitallë dhe
Karavasta), plane ankandesh 3-vjeçare, dhe parashikon që Shqipëria të bëhet eksportues neto i energjisë deri në vitin 2030.

Ngritja e paketës ligjore për Dekarbonizimin e Sektorit të Ndërtimit

Shqipëria ka ndërmarrë një qasje ambicioze për dekarbonizimin e sektorit të ndërtesave përmes një kornize ligjore dhe strategjike që synon ndërtesa me emetime zero deri në vitin 2050. Ligji për
Performancën Energjetike të Ndërtesave (2024) përcakton standarde të reja për ndërtesat ekzistuese dhe të reja, përfshirë certifikimin energjetik, detyrimin për auditime dhe futjen e librezave të rinovimit. Strategjia Afatgjatë e Rinovimit të Stokut të Ndërtesave mbështet këtë ligj përmes skenarëve teknikë e financiarë për rinovimin e thelluar, duke adresuar ndërtesat rezidenciale, publike dhe tregtare, me objektiva konkrete për çdo dekadë deri në vitin 2050. Masat përfshijnë izolim termik, ndërrim të sistemeve teknike, vendosje të paneleve fotovoltaike dhe përdorim të materialeve me emetime të ulëta në ciklin e jetës. Strategjia vendos gjithashtu norma të detyrueshme rinovimi për ndërtesat publike (3% në vit). Dekarbonizimi i sektorit mbështetet dhe nga miratimi i Ligjit nr.52/2024 “Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji”.

Miratimi i Agjendës së Reformave dhe Plani i Rritjes 2024–2027

Agjenda Kombëtare e Reformave vendos përparësi për tranzicionin e gjelbër dhe sektori i energjisë, me theks në përafrimin me paketën e BE-së për integrimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe në krijimin e një tregu të brendshëm funksional “day-ahead”, si dhe rregullime të çmimeve drejt kushteve të tregut. Dokumenti rithekson synimin për mbështetjen e energjisë së rinovueshme përmes një plani ankandi 3- vjeçar për të instaluar të paktën 600 MW kapacitete të reja, si dhe miratimin e ligjeve për biomasën, biokarburantet dhe garancitë e origjinës për energjinë e gjelbër. Po ashtu, për herë të parë përmendet ndërtimi i sistemit kombëtar për tregtimin e emetimeve (ETS) me synimin për ta funksionalizuar deri në vitin 2030, në përputhje me acquis të BE-së dhe mekanizmat MRVA. Risitë lidhen edhe me efikasitetin e energjisë dhe ndotjen e ajrit, përmes strategjisë për rinovimin e ndërtesave publike dhe krijimit të kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë, duke rritur integrimin lokal dhe kapacitetet për trajtimin e varfërisë energjetike. Kjo Agjendë do mundësojë financimin e këtyre sektorëve në formë inkrementale deri në 2027.

Draft Strategjia e Specializimit Inteligjent (S3)

Strategjia për Specializimin Inteligjent e Shqipërisë për periudhën 2024–2030 synon të nxisë zhvillimin ekonomik përmes inovacionit dhe bashkëpunimit ndërsektorial, duke përfshirë qeverinë, biznesin, akademinë dhe shoqërinë civile. Strategjia identifikon nëntë fusha prioritare, ndër të cilat energjia e rinovueshme dhe burimet natyrore zënë një vend të rëndësishëm, duke theksuar potencialin për zhvillim të qëndrueshëm dhe inovacion në këto sektorë. Në kuadër të kësaj strategjie, energjia e rinovueshme është përfshirë si një nga fushat me potencial të lartë inovativ, duke propozuar ngritjen e një qendre ekselence për Eficencën Energjitike.

Rekomandime
Koordinimi i Politikave Ndërsektoriale me Objektivat e Dekarbonizimit

Politikat sektoriale dhe iniciativat për dekarbonizim nuk janë të rakorduara, sidomos ndërmjet sektorëve
të energjisë, transportit, industrisë dhe bujqësisë. Kjo ndarje theksohet edhe mes nivelit qendror dhe atij vendor, ku bashkitë shpesh mungojnë në kapacitete për të mbështetur politika klimatike. Strategjia Kombëtare për Klimën (2019) është e vjetëruar dhe nuk përmban udhërrëfyes konkret për ndërthurjen ndërsektoriale të klimës me energjinë. Rekomandohet rishikimi urgjent i strategjisë dhe ndërtimi i një qasjeje ndërsektoriale funksionale që përfshin institucionet qendrore dhe vendore në zbatim dhe monitorim.

Krijimi i Strukturave për Monitorim dhe Koherencë Ligjore

Ka mungesë strukturash të qëndrueshme për monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të politikave mjedisore dhe energjetike. Ligji për burimet e rinovueshme dhe ligji për performancën e energjisë në ndërtesa janë shoqëruar me numër disproporcional të akteve nënligjore, duke krijuar pasiguri dhe ulur efikasitetin e tyre. Rekomandohet konsolidimi i bazës ligjore, thjeshtimi i akteve zbatuese dhe garantimi i qëndrueshmërisë përmes një kornize më të fortë juridike.

Përafrimi i Agjendës së Gjelbër dhe Absorbimi në Nivel Vendor

Pavarësisht pjesëmarrjes në Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe progresit në dekarbonizim për shkak të trashëgimisë hidroenergjetike, Shqipëria nuk ka analizuar në mënyrë të
thelluar se si këto politika mund të zbatohen në nivel vendor. Mungesa e integrimit të kapaciteteve dhe konteksteve lokale bën që shumë plane të mbeten në nivel qëndror, pa impakt real. Rekomandohet zhvillimi i një mekanizmi të absorbimit lokal të politikave të klimës dhe energjisë, duke adresuar diferencat territoriale dhe burimet njerëzore dhe financiare të bashkive. Mbështetja e hartimit të Planeve Lokale të Tranzicionit të Gjelbër do ishin element kyc në këtë aspekt.

Qartësimi i Planeve Vendore dhe Rakordimi Ligjor

Në nivel lokal ekziston një konfuzion i madh rreth planeve të energjisë dhe klimës, si dhe mungesë koordinimi juridik midis tyre. Krahas hartimit të strategjive dhe mobilizimit të investimeve, qeveria duhet të garantojë harmonizimin ligjor të planeve vendore dhe atyre kombëtare, për të evituar mbivendosjet dhe për të rritur efektivitetin e ndërhyrjeve.

Diversifikimi i Burimeve të Rinovueshme dhe Komunitetet Energjetike
Politikat aktuale përqendrohen kryesisht në energjinë diellore dhe atë të erës, ndërkohë që potenciali për biomasë dhe energji gjeotermale është i nënshfrytëzuar. Rekomandohet një strategji gjithëpërfshirëse për diversifikimin e burimeve të rinovueshme dhe konsolidimi i kuadrit ligjor për komunitetet energjetike, duke hequr pengesat administrative që kufizojnë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe prodhuesve të vegjël në treg. Kërkohet Shfuqizimi i menjëhershëm i projektit të gazifikimit në Korcë si dhe i TEC-it lundrues në Vlorë apo i ndërtimit të TEC-it të Roskovecit. Në këtë kuadër problematikat e amendamenteve ligjore kryesisht të ligjit për energjinë e rinovueshme janë kthyer edhe në pengesë për zhvillimin e investimeve madhore në këtë drejtim (investimet në energjinë diellore dhe të erës).

Fuqizimi i Komuniteteve Lokale të Energjisë

Ky instrument është themelor në mbarwvarjen e implementimit të tij sepse shfryetëzon potencialet e mëdha që ka ky sektor në Shqipëri po ashtu hap i dytë është dhënia e mundësisë për prodhuesit të cilët duhet të kenë mundësi të dalin në treg dhe të zhvillojnë investime mbi shrytëzimin e energjisë së pastër. Instrumenti i komuniteteve lokale të energjisë vlerësohet si një instruennt realtiisht i ri por me benefite të mëdha për komunitetin. Në këtë kuadër vlerësohët se është e nevojës shkëmbimi i eksperiencave me praktikat ekzistuese më të mira gjë që do të ndihmojë komunitetet në përfshirje dhe të kuptojnë më mirë procesin si dhe te shoqërohet dhe nxitet nga financime të mirfillta për komunitetet.

Programi i Rinovimit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë

Programi i diversifikimit të protofolit energjitik është një objektiv si në nivel kombëtarë ashtu edhe në  nivel ndërkombëtar duke analizuar sfidatqe po paraqet vitet e fundit ky sektor. Paralellisht me prodhimin e energjisë në këtë linjë vlerësohët që duhet të zhvillohen edhe investimet mbi infrastrukturen e transmetimit dhe të shpërndarjes së energjisë kjo edhe si pasojë e rritjes së konsumit për energji në Shqipëri. Si pasojë e ndryshimeve ligjore sistemi duhet ti përgjigjet tashme jo vetem prohuesve madhorë të energjisë por edhe prodhuesve të vegjël te cilët kanë të drejtë të hedhin energji në rrjetin energjitik si pasojë e zhvillimit të tyre.

Varfëria Energjetike
Shqipëria nuk ka ende një përkufizim ligjor për varfërinë energjetike dhe mungojnë indikatorët për matjen e saj. Vlerësohet se 20–40% e familjeve përballen me formë të varfërisë energjetike. Rekomandohet përkufizimi ligjor i fenomenit, ngritja e mekanizmave të monitorimit dhe adresimi i drejtpërdrejtë i nevojave të grupeve vulnerabël përmes ndërhyrjeve në eficiencë dhe akses në shërbime energjetike.

Strategjia për Dekarbonizimin e Transportit

Transporti është ndër kontribuesit kryesorë të GES në vend dhe mbetet i varur nga karburantet fosile. Rekomandohet një strategji kombëtare për dekarbonizimin e sektorit, e shoqëruar me plane lokale të mobilitetit, elektrifikim të flotave publike dhe private, zhvillim të infrastrukturës së karikimit dhe promovim të transportit alternativ. Ky proces duhet të lidhet drejtpërdrejt me planifikimin energjetik dhe klimatike.

Integrimi me politikat e mbrojtjes së pyjeve, biodiversitetit, zhvillimit rural
Pyjet janë jashtë fokusit të politikave klimatike pavarësisht rolit të tyre kritik në ruajtjen e karbonit dhe mbrojtjen e burimeve hidrike. Rekomandohet përfshirja e pyjeve dhe biodiversitetit në strategjitë kombëtare, si dhe mbrojtja e tyre përmes masave konkrete ndaj prerjeve dhe zjarreve të pakontrolluara. Nga ana tjetër ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithnjë e më shumë prodhimin bujqësor. Rekomandohet zhvillimi i një programi të qëndrueshëm këshillimor për fermerët mbi teknologjitë adaptive dhe përfshirja e bujqësisë në politikat klimatike dhe të zhvillimit rural.

Perspektiva Gjinore në Tranzicionin Energjetik
Gratë, sidomos në zonat rurale, përballen me barrë disproporcionale si menaxhere të energjisë në familje. Politikat energjetike duhet të përfshijnë një qasje të ndjeshme gjinore që synon drejtësi sociale dhe ndarje të barabartë të përfitimeve dhe barrës së tranzicionit.

Monitorimi dhe Raportimi i Emetimeve GES
Rekomandohet përgatitja e raportit të transparencës mbi progresin e NDC, si dhe ngritja dhe funksionalizimi i sistemit MRV për GES. Kjo kërkon investim në teknologji të pastër dhe forcim të
institucioneve përkatëse.

 

Ky dokument përfaqëson një angazhim të përbashkët për zbatimin e masave të propozuara, me synimin për të arritur rezultate konkrete dhe të qëndrueshme. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përkushtimi i të gjitha palëve të përfshira janë thelbësore për suksesin e këtij procesi.

sqShqip